Partia Demokratike është shprehur sot se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shërben Kryeministrit Edi Rama”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat në mesditë, PD thekson se “i vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet, është dekreti i Presidentit për zhvillimin e tyre më 13 tetor”.
Për këtë ajo këmbëngul se moszbatimi i dekreteve është tregues se KQZ “po i shërben” qeverisë.
Sot në KQZ dorëzuan kërkesën për të marrë pjesë në këto zgjedhje Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane.
Ditën e shtunë anëtarët socialistë të KQZ-ës u larguan nga mbledhja që do të diskutonte shqyrtimin e kërkesës së partive opozitare për të nisur procesin zgjedhor.
KQZ nuk ka vendosur ende nëse do ta zbatojë apo jo dekretin e Presidentit që ka vendosur 13 tetorin si datë ku do të mbahen zgjedhjet.
Në rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit, KQZ refuzoi ta zbatonte dekretin mëparshëm të Presidentit që kishte vendosur për anulimin e kësaj date.
Në deklaratën e sotme të PD-ës theksohet sërish se dekretet e Presidentit duhet të zbatohen dhe se për mos-zbatimet e tyre do të mbahet përgjegjësi penale.
Demokratët i bënë thirrje edhe njëherë institucioneve që të përgatisin infrastrukturën e zgjedhjeve pasi ky “është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-ës”.