PD kundërshton përjashtimin e gazetarëve nga mbledhjet e komisioneve në Kuvend

Nga Exit News
PD kundërshton përjashtimin e gazetarëve nga mbledhjet e komisioneve në Kuvend

Partia Demokratike e quan antidemokratik dhe antikushtetues vendimin e parlamentit për të mos lejuar punonjësit e medias në sallat e mbledhjes së komisioneve parlamentare kur këto të fundit janë duke punuar.

Deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi ka akuzuar Kuvendin se ka marrë një vendim pa transparencë që sipas saj synon të censurojë median.

Kuvendi ka vendosur përjashtimin e mediave nga seancat dhe mbledhjet e komisioneve duke filluar nga muaji shtator. Punonjësit e medias do të mund t’i ndjekin mbledhjet e komisioneve në monitorë nga një dhomë e veçantë përmes regjisë së Kuvendit.

“Vendimi që pengon gazetarët në punën e tyre të informimit me transparencë dhe paanësi të publikut, i pari i këtij dimensioni pas 30 vitesh parlamentarizëm, është marrë në mungesë të plotë transparence nga parlamenti monopartiak me opozitën e emëruar”, deklaroi Vokshi gjatë konferencës dyditore për fushatën zgjedhore dhe komunikimin që Lidhja Demokratike e Gruas Shqiptare po e organizon në bashkëpunim me fondacionin suedez “Jarl Hjalmarson Foundation”.

Voshkshi shtoi se PD do të përpiqet të zhbëjë këtë vendim të Kuvendit.

“Kuvendi i Shqipërisë është zemra e një demokracie[…]por ai do të pushojë së rrahuri plotësisht, nëse media detyrohet të shohë me sytë e pushtetit dhe të flasë me gojën e një pushteti të vjedhur!” tha ndër të tjera Vokshi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>