PD mbledh sot Kryesinë për të miratuar kandidaturat për kryetar të partisë

Nga Exit News
PD mbledh sot Kryesinë për të miratuar kandidaturat për kryetar të partisë

Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet sot në orën 18:00 për të miratuar kandidaturat për kryetar partie dhe rregullat e propozuara nga Komisioni Zgjedhor për zgjedhjet që do zhvillohen më 13 qershor.

Kandidaturën për kreun e PD e kanë shpallur kryetari aktual Lulzim Basha, deputeti i zgjedhur Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Ibsen Elezi.

Kadilli ka qenë i pari që shpalli kandidaturën për të drejtuar PD duke kërkuar gjithashtu dorëheqjen e Lulzim Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.

Largimin e Bashës e ka kërkuar edhe grupi “Për PD” brenda partisë. Ata kanë propozuar Edith Harxhin dhe Ibsen Elezin si kandidatë për kryetarë të partisë. Ky grup ka kërkuar gjithashtu shyrjen e datës së zgjedhjeve. Pjesë e grupit “Për PD” janë edhe kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani dhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami.

Agron Shehaj shpalli kandidaturën e tij ditën e fundit të afatit të dorëzimit të formularëve. Ai u zgjodh deputet në Tiranë në zgjedhjet e 25 prillit dhe ishte një prej kandidatëve më të votuar në PD.

Lulzim Basha kërkon të zgjidhet për herë të tretë në krye të PD. Pas zgjedhjeve të 25 prillit, Basha është shprehur se do të vazhdojë betejën për rrëzimin e qeverisë Rama, ndërsa këtë të fundit e ka akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve.

Kryesia që do të mblidhet sot do të vendosë nëse kandidaturat janë në përputhje me statutin e partisë.

Komisioni Zgjedhor që do të administrojë zgjedhjet do të drejtohet nga Jemin Gjana. Anëtarët e komisionit janë Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Albert Avduli, Gjokë Vuksani dhe Çlirim Gjata. Ky i fundit zëvendësoi Eno Bozdon i cili dha dorëheqjen një ditë pasi ishte zgjedhur në këtë komision.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>