Partia Demokratike ka denoncuar, mëngjesin e së hënës, moszbatimin e protokolleve anti-Covid në disa prej shkollave të kryeqytetit.
Ish-deputetja Albana Vokshi, përmes disa fotosh ku dallohen grumbuj prindërish e nxënësish në oborret e shkollave, akuzoi qeverinë se nuk ka marrë masat e nevojshme organizative:
“Propaganda e Kryeministrit Rama vs Realiteti në shkolla këtë fillim viti. Përkundët fotove të përzgjedhura nga Kryeministri, situata në shumë shkolla është krejt ndryshe.
Kjo është shkolla Gustav Mayer në Tiranë. Mungesë organizimi nga ana e shkollës që ka cuar në grumbullime prindërish e nxënësish… asnjë mundësi për respektim të protokollit të sigurisë së shëndetit.”
Sipas udhëzimit të ministrisë, bërë publik që në gusht, nxënësit për të hyrë në shkollë, duhet të qëndrojnë në radhë përpara derës, në distancë një metër e gjysëm. Të gjithë nxënësve duhet t’i matet temperatura në hyrje dhe do të dezinfektojnë duart me alkool. Të gjithë nxënësit duhet të jenë të pajisur me maska dhe me një shami gjatë orës së mësimit.
Në fotot e bëra publike nga ish-deputetja Vokshi, asnjë prej këtyre protokolleve nuk është zbatuar.