Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi “deklaratë gjysmake” dhe përpjekje “për t’i hedhur hi syve” qytetarëve tërheqjen e Bashkisë Tiranë dhe qeverisë nga projekti PPP për teatrin.
Përmes një postimi në Twitter, Basha kërkoi vendim të qartë që tregon se kullat nuk do të bëhen.
“Rama dhe Veliaj nuk mund t i hedhin hi syve shqiptarëve dhe të mbulojnë korrupsionin dhe prishjen e Teatrit me njoftime gjysmake që fshehin të vërtetën. Pa një vendim të qartë që kullat nuk do të ndertohen dhe Teatri do të ruhet PD nuk tërhiqet nga qëndrimi dhe vendosmëria e saj.”
Në korrik 2019 opozita firmosi marrëveshje me artistët dhe qytetarët që janë angazhuar prej 2 vitesh në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Sipas marrëveshjes, PD është zotuar që me ardhjen në pushtet, do të mbështesë nisjen e restaurimit të teatrit, vënien para përgjegjësisë së atyre që ideuan projektin e PPP-së dhe rikthimin e kompleksit teatror nën statusin “Ansambër Monument Kulture”.