Partia Demokratike ka paditur arkitektin danez Bjarke Ingels për përfshirje të paligjshme në projektin e Teatrit Kombëtar dhe i ka kërkuar prokurorisë që t’i kërkojë gjykatës pezullimin e projektit për prishjen e Teatrit, me anë të ‘sekuestros preventive’.
Zyra e shtypit në PD njoftoi sot se e akuzon arkitektin danez për:
- Korrupsion pasiv
- Ndihmë për ndërtim të paligjshëm
- Ushtrim i ndikimit ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
PD thotë se ia ka dërguar padinë prokurorisë, së cilës i kërkon ndalimin e projektit:
“Vendosja e sekuestros preventive ndaj këtij projekti do të ishte edhe një masë që parandalon pasojat e parikuperueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për interesin publik që ka realizimi i atij projekti.”
Ingels është ariktekti i teatrit të ri që është mbështetur nga qeveria dhe Bashkia Tiranë, por që do të ndërtohet duke tjetërsuar pronën publike kundrejt kompanisë private Fusha shpk, të cilës do i i jepet tokë dhe leje për të ndërtuar kulla pas godinës së Teatrit.
Për këtë projekt qytetarë, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë rreth dy vite që protestojnë.
Sipas demokratëve Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj kanë bashkëpunuar me Bjarke Ingels “për një projekt të pabazuar në asnjë ligj” për të cilin “qe punuar që në vitin 2016”. Për të dalë në këtë përfundim demokratët thonë se i janë referuar deklaratave publike të bëra nga Rama, Veliaj dhe Ingels.
Më 14 mars 2018 Bjarke Ingels do të shprehej për Top-Show Magazine në Top-Channel:
“Ishte një ftesë e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Bashkisë për Teatrin Kombëtar. Për këtë projekt ne kemi filluar para një viti e gjysmë dhe kemi punuar në mënyrë të vazhdueshme.”
Prej këtij pohimi të Ingels demokratët thonë se:
Kryerja e një projekti për zhvillimin e një prone publike si teatri pa marrëveshje me autoritetet publike shqiptare dhe pa u njohur me ndonjë procedurë konkrete ligjore për partneritet publik privat, nënkupton se arkitekti Bjarke Ingels, ka konsumuar veprën penale të “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, vepër e cila dënohet me burgim nga 6 muaj në 5 vjet.
Në padi, theksohet se për t’i hapur rrugë projektit të Bjarke Ingels, qeveria ka vepruar përpara paraqitjes së propozimit të pakërkuar nga “Fusha shpk” për të ndërtuar një teatër të ri dhe disa kulla përreth, i cili mban datën Shkurt 2018.
Veprimet e qeverisë:
- 12 Prill 2017 qeveria heq Teatrin Kombëtar dhe territorin përreth nga Zona e Qendrës Historike të Tiranës.
- 14 Prill 2017 miratohet Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, në të cilin, ndryshe nga çdo zonë e kryeqytetit ku përcaktohet intensiteti i ndërtimit dhe specifikime të tjera teknike, për zonën e Teatrit Kombëtar, nuk përcaktohet asnjë kufizim për lartësinë e ndërtesave dhe koeficentin e shfrytëzimit të truallit.
- 13 Mars 2018, në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender, Kryeministri Rama shpall fitues projektin e Bjarke Ingels, i porositur prej tij dhe prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që në 2016-ën, duke paracaktuar edhe ndërtimin e kullave nga Fusha shpk, që ka marrë përsipër pagesën e projektit të Bjarke Ingels.
Për padinë e saj, PD thotë se ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-Bjarke Ingels Group”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.