Partia Demokratike përshëndeti krijimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) duke theksuar se tashmë Shqipëria “ka shans real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta”.
Në një deklaratë për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD u shpreh se:
“SPAK, është mekanizmi i duhur kushtetues për të përmbushur një nga kërkesat kyçe të shqiptarëve dhe të partnerëve të huaj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së të fortëve, promovuesve të tyre në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar. Pas vendimit të sotëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Partia Demokratike përshendet ngritjen e SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.”
Zoti Bardhi tha se qeveria u përpoq prej 3 vitesh që ta vononte ngritjen e SPAK-ut ndërkohë që nga PD-ja ka pasur gjithmonë vullnet për t’i dhënë besim dhe për të mos i paragjykuar prokurorët që do të bëjnë pjesë në këtë strukturë. Megjithatë Sekretari i PD-së theksoi se:
“Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.”