Partia Demokratike do ta rishikojë reformën territoriale pasi “ajo u bë në mënyrë të njëanshme për interesa politike dhe jo të qytetarëve”.
Këtë e synim e shprehu përmes një postimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Pas takimeve në degët e PD-së në Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Maliq, Bardhi tha se “qarku Korçë është braktisur nga qeveria në këto 6 vite, duke sjellë varfëri dhe pamundësi për fermerët punëtorë të kësaj zone”.
Ai e lidhi këtë gjendje me reformën administrative të ndërmarrë në vitin 2014-të:
“Ndamë bashkërisht shqetësimin se Reforma Territoriale, e miratuar në mënyrë të njëanshme dhe për qëllime politike, ka qenë një dështim dhe ka cënuar rëndë interesin e qytetarëve. Ata janë të braktisur. Bashkitë dhe administrata e tejfryrë nuk janë më në shërbim të qytetarëve.
Rishikimi i reformës territoriale është prioritet absolut i Partisë Demokratike!”
Reforma administrative e miratuar 6 vite më parë shkriu 309 komuna dhe 4 bashki duke e riformuluar hartën e njësive vendore në vetëm 61 bashki. Territoret e ish-komunave i kaluan në varësi bashkive.
Qeveria e mbështeti reformën me zotimin se ajo ulte kostot administrative dhe u shërbente më mirë qytetarëve. Por opozita bojkotoi diskutimet dhe miratimin në parlament duke akuzuar se ajo nuk bëhej në funksion të qytetarëve por për ndarje territoriale politike që favorizonte mazhorancën.