Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi sot në Urën Vajgurore programin për zhvillimin e sektorit bujqësor, të cilin Zoti Basha e cilësoi “të kapur nga 5 grosistë miq të qeverisë dhe Kryeministrit”.
Takimi me fermerë dhe përfaqësues të biznesit, që u zhvillua sot, ishte pjesë e nismës së Kryetarit të PD-së “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Duke prezantuar idetë e opozitës për zhvillimin Zoti Basha tha:
“Shfrytëzimi i fermerit shqiptar për të favorizuar 5 grosistë, miq të qeverisë dhe kryeministrin, një bandë hajdutësh që pasurohen, kjo do të marrë fund që ditën e parë. Kjo krizë ka zgjidhje. Nuk është pa zgjidhje. Zgjidhja fillon nga një qeveri që ju dëgjon, nga një Kryeministër që ju dëgjon dhe kupton hallet tuaja. Është e lehtë të bësh spote e propagandë me paratë që u vjedh shqiptarëve në ekranet që financohen me paratë që u vidhen shqiptarëve.”
Më pas Kryetari i PD-së renditi me pika ndryshimet që ata kanë menduar për zhvillimin e sektorit të bujqësisë:
- Identifikim i fermerëve me Nr.Personal identifikimi, jo me NIPT biznesi.
- Çdo vit 100 milionë euro buxhet për subvencionim fiks dhe të drejtpërdrejtë për çdo tonelatë prodhimi.
- Çdo vit, minimumi, 50 milionë euro investime në infrastrukturë rrugore, sera, ara, kanale ujitëse e kanalizime.
- Bursa mbështetëse për arsim profesional për zonat rurale.
- Garanci për aksesin e prodhimit në treg, pa barrier, monopole, trarë, apo tarifa.