Prokuroria vërtetoi se Kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Kajmaku nuk ka deklaruar emrin e dytë të përdorur në Greqi, Jorgo Toto. Sipas ligjit të dekriminalizimit, kush gënjen në formularin e dekriminalizimit shkarkohet nga funksioni publik dhe dënohet me burg nga 6 muaj deri në 4 vjet.
Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi. Prokuroria nis i verifikimin e Kajmakut, pas kërkesës së opozitës në gusht 2019.
PD publikoi dokumente, të cilat tregonin se kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku, i njohur në Greqi me emrin Jorgo Toto, ishte dënuar në Janinë “për përdorim dhe shpërdarje të kartomonedhave të falsifikuara.”
Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Gazmend Bardhi shfaqi urdhërarrestin e gjykatës së Janinës në emër të Jorgo Totos, emër i përdorur nga Agim Kajmaku gjatë jetesës në Greqi:
“Ky është vendimi i gjykatës Janinës nga ku rezulton se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë më 14 janar 2003 për përdorim dhe shpërndarje të kartmonedhave të falsifikuara, vepër penale që dënohet me 10 vite burg.”
Ndërsa, ish-deputeti i PD Gent Srazimiri publikoi dokumentin se Jorgo Toto dhe Agim Kajmaku ishte i njëjti person.
“Provat janë të pakontestueshme dhe Agim Kajmaku apo Jorgo Toto duhet të largohet dhe të merret i pandehur për veprën e tij penale të kryer në shtetin grek dhe për veprën penale të mashtrimit me deklarimet e formularit të dekriminalizimit”.
Agim Kajmaku e ka pranuar se ka ndryshuar emrin në Jorgo Toro gjatë kohës kur ka emigruar në Greqi, por theksoi se është “krejtësisht i pastër dhe se po vazhdon punën në krye të bashkisë”.