Partia Demokratike ka propozuar në Këshillin Politik hapjen e listave të deputetëve në masën 100% duke argumentuar se vetëm kështu kjo do të sjellë efektin e dëshiruar.
Në të kundërt PD përllogarit që formula e miratuar në Këshillin e Legjislacionit nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, që hap vetëm 2/3-tat e listës, përsëri do të rezultonte në 100 deputetë të zgjedhur nga kryetari i partisë dhe vetëm 40 nga votuesit.
Demokratët kanë propozuar edhe marrjen e opinionit të ekspertëve të OSBE/ODIHR për këtë çështje, si dhe për të tjera kur palët nuk gjejnë dakordësi.
Opozita e bashkuar propozon që për koalicionet të mos bëhet asnjë ndryshim, me argumentin se ato nuk pengojnë listat e hapura dhe përfaqësojnë më mirë vullnetin e votuesve.
Zonat zgjedhore dhe shpërndarja e mandateve nuk duhet të ndryshojë gjithashtu, sipas opozitës së bashkuar.