Partia Demokratike bëri sot publike dokumenta të cilat vërtetojnë se Agim Kajmaku, kryebashkiaku socialist i Vorës, është arrestuar në Greqi për përdorim dhe shpërndarje të parave të falsifikuara.
Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Gazmend Bardhi shfaqi urdhërarrestin e gjykatës së Janinës në emër të Jorgo Totos, emër i përdorur nga Agim Kajmaku gjatë jetesës në Greqi.
Duke iu referuar dokumentit, Bardhi pohoi:
“Ky është vendimi i gjykatës Janinës nga ku rezulton se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë më 14 janar 2003 për përdorim dhe shpërndarje të kartmonedhave të falsifikuara, vepër penale që dënohet me 10 vite burg.”
Sekretari i PD-së Bardhi sqaroi se:
“Agim Kajmaku është arrestuar në flagrancë. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto.
Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës.
Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale). Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur arrest me burg të menjëhershëm dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim.
Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuarj, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri.”
Pas arratisjes nga Greqia, ai ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto sërish në Agim Kajmaku, emër të cilin e përdor dhe sot.
Zoti Bardhi deklaroi se Agim Kajamku ka ende dhe sot të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi.
Prej disa ditësh, Partia Demokratike ka denoncuar të shkuarën kriminale të Agim Kajmakut dhe ka kërkuar shkarkimin e tij nga detyra pasi sipas ligjit të dekriminalizimit një person me precedent penal nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, përfshirë atë të kryetarit të bashkisë.
Agim Kajmaku, menjeherë pas denoncimit të PD-së, pranoi se ka ndryshuar emrin në Jorgo Toro gjatë kohës kur ka emigruar në Greqi, por theksoi se është “krejtësisht i pastër dhe se po vazhdon punën në krye të bashkisë”.
Prokurori ka nisur verifikimin e të shkuarës së Agim Kajmakut.
Në rast se akuzat e opozitës verifikohen nga prokuroria, Agim Kajmaku do të ishte kryebashkiaku i dytë i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që kapet nga ligji i dekriminalizimit.