Një ditë pas lajmit se kandidati i shoqërisë civile për KLGj ka gënjyer në formularin e vetëdeklraimit, Partia Demokratike ka bërë publike dokumente që vërtetojnë se dhe kandidatët për në KLP duhet të ishin përjashtuar nga konkurrimi pasi nuk përmbushin kushtet.
Kozma Jano, kandidat për anëtar i KLP-së ka qenë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit. Dokumenti i siguruar nga PD tregon të dhënat e Janos si informator në Portin e Durrësit. Në formualrin e vetëdeklarimit, Jano ka mohuar të ketë lidhje me Sigurimin në kohën e diktaturës, duke gënjyer.
Në mënyrë krejt të ngjashme kanë vepruar dhe disa nga deputetët e kuvendit të Shqipërisë, mandati i të cilëve u dogj për shkak se kishin gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Nëse kriteret do të ndiqen dhe zbatohen me rigorozitet, edhe Jano duhet të largohet menjëherë nga ky komision.
Sokol Lamaj, një tjetër kandidat, që ka në pronësi një studio ligjore rezulton se nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për dy nga kandidatët e shoqërisë civile që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Gjoncaj ka vlerësuar më pozitivisht, PD ka publikuar rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar që i skualifikon kandidatët për mospërmbushje të kritereve dhe mungesë të integritetit të lartë moral.