Partia Demokratike publikoi sot dokumentet që, sipas saj, vërtetojnë se kryebashkiaku i Vaut të Dejës Mark Babani është arrestuar dhe dënuar në Sicili, për vjedhje makinash.
Gjatë një konference për shtyp, Gazment Bardhi, sekretar i Përgjithshem i PD-së publikoi të dhëna, sipas tij, nga regjistri i burgjeve në Itali:
“Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale ‘vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim’. Ai është arrestuar nga policia italiane duke vjedhur makina.
Mark Babani alias Marq Babaj ka qëndruar në burg deri më datën 6 maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian.
Kjo është vetëm një pjesë e dosjes kriminale të kandidatit të Edi Ramës për Vaun e Dejës.”
Më herët Partia Demokratike i ka kërkuar prokurorisë që të verifikojë të shkuarën e Mark Babanit, pasi në formularin e vetëdeklarimit Babani ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i arrestur apo i dënuar në të shkuarën.
Në rast se akuzat e PD-së rezultojnë të vërteta, sipas ligjit për dekriminalizimin, Babani nuk mund të mbajë postin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, si dhe duhet të ndiqet penalisht për deklarim të rremë dhe falsifikim të formularit të vetëdekriminalizimit.
Vetë Zoti Babani ka mohuar të ketë qenë i arrestuar apo i dënuar në të shkuarën.
Mark Babani është kryebashkiaku i tretë i dalë nga zgjedhje i dënoncuar nga opozita për të shkuarën kriminale, pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës dhe Agim Kajmakut të Vorës.