Partia Demokratike publikoi sot dokumenta, të cilat duket se vërtetojnë se Valdrin Pjetri, kryebashkiaku socialist i Shkodrës ka qenë dënuar për trafik droge në Itali.
Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Gazmend Bardhi shfaqi dokumente të Drejtorisë së Policisë së Firences, që tregojnë se Pjetri është arrestuar nga policia e Firences më 27 janar të vitit 2003 për trafik droge, dhe është dënuar më pas nga një gjyktatë italiane.
Duke iu referuar dokumentit, Bardhi pohoi:
Pjetri është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale ‘shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti Italian.
Sipas ligjit të dekriminalizimit, Valdrin Pjetri nuk mund të kandidonte për kryetar bashkie dhe asnjë post tjetër të zgjedhur publik. Por, sipas opozitës, ai ka pasur mbështetjen e Kryeministrit Rama, i cili qe njoftuar për të shkuarën e Pjetrit edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Në 6 vitet e fundit, PD ka denoncuar vazhdimisht përfshirjen e personave me të shkuar kriminale në administratë dhe poste të larta të institucioneve publike.
Sipas Zotit Bardhi, gjatë kësaj kohe “Rama promovoi në politikë dhe administratë mbi 300 persona me precedence kriminale, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave”.
Në daljen për shtyp PD i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë mënjëherë procedimin penal ndaj Vladrin Pjetrit, për falsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit.
Edi Rama dhe kukullat e tij në prokurori, mund ta pengojnë apo vonojnë nxjerrjen e rezultateve zyrtare për këtë rast. Por ato nuk do të arrijnë kurrë t’i imponojnë Shkodërës dhe qytetarëve të saj të nderuar, një Kryetar Bashkie, pjesë të krimit të organizuar dhe një trafikant të dënuar droge.