Partia Demokratike denoncoi të martën një tender prej 1,5 milionë eurosh të bërë nga qeveria për furnizimin me ushqime të rezerveve të shtetit.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi se tenderi iu dha pa garë filialit të kompanisë verio-maqedone Eurovia.
“Në Shqipëri ka 35 099 kompani, të cilat merren me tregtimin e mallrave ushqimorë, por qeveria priti 1 muaj që kompania që ata kanë zgjedhur për të ndarë paratë, të ndryshonte objektin.”
PD thotë se Ministria e Mbrojtjes hapi më 25 mars tender urgjent për blerje ndihmash për familjet në nevojë dhe materiale mbrojtëse për personelin e ushtrisë.
Opozita ngre dyshime te kriteri që kompania fituese duhet të kishte:
“[…] kontratat për ekzekutimin e furnizimeve të ngjashme të kryera gjatë 3 viteve të fundit, [t’i ketë] në një vlerë jo më të ulët se 40 për qind të vlerës së tenderit”.
Alibeaj pohoi se pak ditë para shpalljes së tenderit, kompania që e fitoi atë, shtoi si objekt të aktivitetit tregtimin e ushqimeve.