Partia Demokratike kërkoi sot anulimin e një tenderi të fituar nga kompania e bashkëshortes së ish-kryetarit i Bashkisë Vorë Agim Kajmaku.
Kajmaku është prej 3 muajsh në kërkim nga policia për falsifikim dokumentash dhe sipas opozitës u shpërblye nga qeveria me një tender prej rreth 50 mijë eurosh.
Përmes një postimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se:
“Duke i dhënë miliona lekë një personi në arrati [Agim Kajmakut], që ai e emëroi kryebashkiak të Vorës dhe nuk guxoi ta shkarkonte, Edi Rama dëshmon, në mënyrë të përsëritur, se e vetmja gjë që di të bëjë është të palçkisë paratë e shqiptarëve me ca kriminelë, oligarkë dhe të korruptuar.”
Tenderi i denoncuar ka të bëjë me mirëmbajtjen e gjelbërimit të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.
“Ky tender kriminal duhet anulluar! Paratë e shqiptarëve nuk mund t’i marrë një i arratisur që e ka vendin në burg!”
Ish-rkyebashkiaku, kompaninë Kajmaku shpk, e ka drejtuar në marrëdhenie ortakërie me të shoqen deri në muajin korrik 2019. Pasi u betua si kryebashkiak i Vorës ai ia kaloi tërësisht kompaninë së shoqes. Sidoqoftë opozita e lidh aktivitetin e kompanisë me ish-kryebashkiakun.
Kajmaku u akuzua në gusht 2019 se kishte fshehur në formularët e dekriminalizimit një dënim për falsifikim parashë në Greqi – për këtë dënim fitoi pafajësinë në shtator 2019.
Denoncimi i opozitës u verifikua dhe faktua rreth 2 muaj më vonë. Më 1 nëntor KQZ-ja i hoqi Kajmakut mandatin. Ditën kur ai duhet të linte detyrën shkarkoi 2 nënkryetarët dhe emëroi një të besuar të tij. Çështja përfundoi në prokurori dhe Kajmaku u shpall në kërkim.
Përveç falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, ai akuzohet edhe për: “falsifikim dokumentash” dhe “ushtrim funksionesh pas dhënies fund të detyrës”.