Partia Demokratike i kërkon qeverisë të japë shpjegime se çfarë bëri pas tërmetit të 21 shtatorit për të parandaluar vdekjen e 24 qytetarëve në dy pallatet që u rrëzuan në Thumanë.
Përmes një postimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i drejtoi 5 pyetje publike Kryeministrit:
- A u verifikuan pallatet pas tërmetit të 21 Shtatorit?
- Kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata?
- A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit?
- Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve?
- Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor?
Zoti Bardhi theksoi se “qeveria ka detyrimin të sqarojë pa vonesë opinionin publik, ndërsa prokuroria ka përgjegjësinë ligjore të hetojë për të nxjerrë përgjegjësit për humbjen e jetëve të 24 qytetarëve në dy pallatet e dëmtuara në Thumanë”.
Sekretari i PD-së thotë se “qeveria nuk mori asnjë masë konkrete pas tërmetit të 21 shtatorit për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët humbën jetën më 26 nëntor”.