Deputetja e PD-së, Albana Vokshi deklaroi të mërkurën se kryeminstri Rama po kapte Autoritetin e Mediave Audiovizive, duke paracaktuar në krye të saj sekretaren e tij dhe të PS-së, Armela Krasniqin.
“Në garën për kreun e AMAs, me pseudokandidatë nënpunës shtetërore pa asnjë eksperiencë në fushën e medias apo fushat që përcakton ligji, në shkelje të afatëve ligjore, Edi Rama ka paracaktuar zëdhënësen e tij dhe te PS për këtë post,” u shpreh Vokshi.
Ajo shtoi se proçedura e ndjekur për uzurpimin e vendeve të AMA-s që duheshin emëruar nga opozita shkelte Ligjin për Mediat Audiovizive dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Vokshi paralajmëroi se kontrolli i AMA-s paralajmëronte edhe kalimin në Parlament të paketës Anti-shpifje me synimin “për të ushtruar presion, shantazhuar, mbyllur gojën kujtdo medie apo gazetari që do të guxojë të denoncojë vjedhjen e zgjedhjeve, korrupsionin qeveritar dhe bashkëpunimin e pushtetit me krimin dhe oligarkinë”.
Ajo u bëri thirrje gazëtarëve, mediave dhe institucioneve që monitorojnë lirinë e shtypit në Shqipëri të reagojnë dhe të ndalin emërimet.