Partia Demokratike ka akuzuar, të premten, kryeministrin Rama se po tenton të vërë nën pushtetin e tij dhe sportin, duke emëruar deputetin e tij si president të Komitetit Olimpik Shqiptar.
Në një deklaratë për shtyp, ish-deputetja Albana Vokshi deklaroi se qeveria ka ndryshuar rregullat që pengon ndërhyrjen politike në emërimin e drejtuesve të sportit, për të emëruar aty deputetin Fidel Ylli.
Vokshi u shpreh:
“Plani i tij është të uzurpojë edhe sportet, duke targetuar politizimin e Komitetit Olimpik Shqiptar përmes emërimit të shërbëtorit të tij, Fidel Ylli.
Qeveria që ha mish me flori në Dubai ka zhbërë rregullat që pengonin kontrollin nga politika të sportit.”
Vokshi denoncoi se deri pak kohë më parë, në statutin e Komitetit Olimpik, që miratohet nga Ministria e Arsimit, përcaktohej se “nuk lejohet që politikanë aktivë të konkurojnë për të qenë në organet drejtuese të Komitetit”.
Por ky rregull është hequr nga ministria.
“Arsyeja për të cilën ky përcaktim është hequr ka lidhje me vendimin e Edi Ramës për të zgjedhur president të Komitetit Olimpik Shqiptar deputetin e tij Fidel Ylli,” u shpreh Vokshi.
Ajo e quajti tentativën e kryeministrit shumë të dëmshëm për sportin në vend:
“Plani i Edi Ramës për të kapur edhe organizmat e pavarur të sportit është i dëmshëm për sportin dhe si i tillë i papranueshëm.”
Për Partinë Demokratike, Komiteti Olimpik Shqiptar duhet të mbetet një organizëm i pavarur, në mënyrë që të mos i shërbejë interesave të pushtetit, por sportistëve të talentuar dhe imazhit të Shqipërisë në botë.
Duket se Fidel Ylli është projektuar nga Rama për të drejtuar Komitetin Olimpik Shqiptar.
Pak muaj më parë, Rama e emëroi Yllin si të deleguarin e qeverisë për të biseduar me Ligën profesioniste të futbollit, e cila kishte bojkotuar të gjithë aktivitetet sportive.