Opozita akuzoi sot Kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste se kanë shtuar rreth 280 mijë fletë votimi të paligjshme në kutitë e mbi 20 bashkive, në zgjedhjet e 30 qershorit.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD Ivi Kaso, në një konferencë për shtyp, deklaroi se qëllimi kryesor i Ramës në këto zgjedhje ka qenë të ruajë në letra rezultatin e vitit 2017. Por pasi u ndeshën me pjesëmarrjen shumë të ulët të qytetarëve në votime, Rama dhe komisionerët socialistë shtuan vota në kutitë e votimit.
Zoti Kaso sqaroi se shtimet e votave janë bërë në të paktën 21 bashki:
– Vetëm në Tiranë manipuloi dhe shtoi rreth 60 mijë votues, ndërsa Bashkia Finiq ka një rritje të numrit të votave krahasuar me numrin e votuesve me 41 për qind.
– Ura Vajgurore me 35 për qind;
– Berati me 27 për qind;
– Vau i Dejës dhe Maliqi me 21 për qind;
– Durrësi me 18 për qind;
– Bulqiza me 17 për qind;
– Dropulli me 13 për qind;
– Malësia e Madhe, Korça dhe Kruja me rreth 12 për qind;
– Bashkia e Kukësit dhe Gramshit me 10 për qind;
– Divjaka e ka manipulimin mbi manipulimin gati 9 për qind;
– Bashkia Lushnje me 8.5 për qind;
– Bashkia Shkodër me gati 7 për qind; ndërsa bashkitë Sarandë, Rrogozhinë, Vlorë, Fier dhe Belsh me nga 6 dhe 5 përqind.
“Është 1 e treta e bashkive ku janë shtuar më shumë se gjysma e votave, për arsyen e vetme që Kryeministri në minorancë, Edi Rama, të mbulojë dështimin, refuzimin, braktisjen e madhe të 30 Qershorit”, deklaroi Sekretari Kaso.
Opozita akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si ndihmës të Ramës në këtë manipulim:
“Ai përdori Denar Bibën, 3 persona të tjerë të Komisionit Qendror të Vjedhjeve dhe qindra komisionerë për të mbushur kutitë, duke rritur artificalisht numrin e pjesëmarrësve.
Për të justifikuar ndryshimin me plot 66 mijë vota të shtuara brenda 24 orësh vetëm sipas shifrave të KQZ, njëri nga anëtarët e bandës në KQZ, Bledar Skënderaj, deklaroi publikisht se gabimi mes rezultatit të parë dhe atij final ishte vetëm 1.3 për qind.
Kjo është arsyeja pse Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka hedhur në sistemin online të dhënat e operatorëve për pjesëmarrjen dhe, akoma, 5 ditë pas 30 Qershorit nuk ka publikuar rezultatet qendër per qendër.”
Deri më tani, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka raportuar tre shifra të ndryshme pjesëmarrjeje në votimet e 30 qershorit: 24.12; 21.6 dhe 22.9 për qind. Për këto mospërputhje kreu i KQZ-së Klement Zguri kërkoi hetim administrative të të gjithë dokumenteve të kutive të votimit, por kërkesa u refuzua nga katër anëtarët socialistë të KQZ-së.