PD riciklon qeverinë e 2017-ës duke shpresuar rezultate të ndryshme

Nga Redaksia
PD riciklon qeverinë e 2017-ës duke shpresuar rezultate të ndryshme

Partia Demokratike ka shpallur, dje, më në fund publikisht kërkesën për krijimin, 100 ditë para zgjedhjeve, të një “qeverie kujdestare” mes shumicës dhe opozitës, e cila do të ketë prioritet organizimin e zgjedhjeve.

Hollësitë e propozimit të PD-së do të bëhen të ditura javët e ardhshme, por elementët thelbësorë të tij tashmë dihen në vija të përgjithshme—në disa komente të mëparshme ne i kemi shpjeguar tiparet e përgjithshme të kësaj qeveri të përbashkët shumicë-opozitë, si dhe modelin maqedonas nga ku është kopjuar kjo ide.

Në thelb, edhe pse më etiketë dhe ambalazh të ri, bëhet fjalë për një variant qeverie si ajo e vitit 2017: kryeministri dhe shumica e qeverisë do t’i përkasë shumicës socialiste dhe mund të jenë funksionarë të lartë politikë pa asnjë kufizim, ndërsa opozita do të propozojë disa ministra dhe drejtorë të përgjithshëm, përfshi Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë

Njësoj si në vitin 2017, PD kërkon që kjo qeveri të drejtohet nga cilido person që mund të zgjedhë Edi Rama, por jo nga vetë Edi Rama. Mbetet për t’u parë nëse këtë herë negociatat mes palëve do të bindin Edi Ramën të dorëhiqet dhe të emërojë dikë tjetër Kryemisnitër të qeverisë kujdestare.

Ndryshimi tjetër është se, ndoshta për të shmangur akuzat e pritshme se po kërkon të ndajë pushtetin, PD kërkon që formula e qeverisë kujdestare të bëhet rregull i përhershëm deri në pranimin e vendit në Bashkimin e Europian.

Kërkesën për qeverinë kujdestare Kryedemokrati Basha e shpalli gjatë një monologu të regjistruar, në të cilën harxhoi vetëm pak sekonda për këtë propozim, pa dhënë ndonjë argument se pse ai mendon se një qeveri e tillë do të ndalojë blerjen dhe vjedhjen e votës dhe do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, veçanërisht kur një qeveri e tillë do të kontrollohet nga Edi Rama nga i cili ajo duhet t’i mbrojë zgjedhjet.

I vetmi argument që PD ka sjellë është se një model të tillë e ka përdorur Maqedonia e Veriut në dy zgjedhjet e fundit—por ky argument nuk ka asnjë domethënie politike, demokratike apo praktike për Shqipërinë, pasi rrethanat dhe veçantitë shoqërore e politike në Maqedoni janë krejtësisht të ndryshme nga ato në Shqipëri.

Në fakt ne kemi argumentuar më parë se është jo racionale të mendosh se një njeri si Edi Rama, të cilin Partia Demokratike e akuzon për lidhje me krimin dhe vjedhje të zgjedhjeve, do të pranojë që të heqë dorë vullnetarisht me marrëveshje nga vjedhja e zgjedhjeve. Nëse pati vlerë për ndonjë gjë, marrëveshja e vitit 2017 ishte pikërisht sepse bëri të qartë për të kuptuar se qeveritë e tilla hibride janë dështime në çdo drejtim, përfshi atë zgjedhor.

Dështimin e vitit 2017, PD e ka përjashtuar këtë herë me justifikimin se ndryshe nga 2017 marrëveshjen tani do e garantojnë ndërkombëtarët të cilët, pretendon PD, tashmë janë ndërgjegjësuar se kush është Edi Rama.

Ndërkombëtarët nuk kanë, por edhe sikur të kishin teorikisht ndonjë mekanizëm për të kontrolluar Edi Ramën, nga qendrimet e tyre publike duket se mendimi dhe marrëdhëniet e tyre me Edi Ramën janë shumë të mira, ndërsa e njejta gjë nuk mund të thuhet për mendimin dhe qendrimin e tyre ndaj opozitës.

Për më tepër, propozimi i PD-së nuk ka lidhje me rekomandimet e bëra nga OSBE-ODIHR dhe nga asnjë institucion i huaj për reformën zgjedhore dhe mekanizmi i qeverisë kujdestare nuk është as prioritet dhe as ndonjë opsion që ka në vetvete mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Në këto kushte, pranimi apo jo i këtij propozimit të PD-së për qeverinë kujdestare, në tërësinë e tij apo pjesërisht, do të varet ekskluzivisht nga vullneti personal i Kryeministrit Rama, i cili nuk ka as ngut dhe nuk është nën asnjë trysni për ta pranuar atë.

Për këtë arsye, me zgjedhjen që ka bërë, PD ja ka lënë suksesin e strategjisë së vet në dorë Edi Ramës: arritja e qeverisë kujdestare dhe, për rrjedhojë, imazhi i forcës e rëndësisë politike të PD-së janë në dorë të Edi Ramës.

Në këto kushte, është e arsyeshme të besohet se Edi Rama do ta përdorë propozimin e PD-së herë si mjet joshjeje duke dhënë shenja se mund ta pranojë në shkëmbim të heshtjes së PD-së për keqqeverisjen, e herë si mjet sulmi për ta bërë PD-në të duket e paaftë të përballet me zgjedhje duke kërkuar pushtet në tavolinë.

Në këtë kushte duket se propozimi i PD-së mbart jo vetëm rreziqe me pasoja në aksionin politik të PD-së dhe fatet e saj zgjedhore, por nuk duket se garanton asgjë nga ato që PD kërkon të arrijë përmes saj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>