Partia Demokratike denoncoi sot se ish-kompania e përpunimit të plehrave në Sharrë, e cila kishte përgjegjësi në vdekjen e adoleshentit Ardit Gjoklaj, ka rifilluar punë në Peqin.
Përmes një postimi në Facebook, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa tregoi me dokumente se kompania 3R shpk, e Edurim Teqjës, ka ndryshuar emër në Alb-Tech Plast shpk dhe është rilicensuar. Ndryshimi i emrit ka ndodhur më 17 maj 2018 dhe licencimi nga Ministria e Mjedisit më 18 prill 2019, ndërsa aktualisht aktiviteti është zhvendosur në “transport mbetjesh plastike në Peqin”.
Në postimin e saj në Facebook, Zhupa thotë se:
Shteti jo vetëm që nuk ndërmori masa për shkeljet, por sot e ka licensuar përsëri në të njëjtën fushë veprimtarie. Sa më shumë të abuzosh, të vrasësh të skllavërosh njerëzit, aq më të lehtë e ke të bësh biznes me rilindjen. Ky është modeli i biznesit që promovon (qeveria), ndërsa biznesi i ndershëm po mbyllet çdo ditë.
Më 7 gusht 2016, pas vdekjes në punë të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, kompania 3R shpk u akuzua se e ushtronte aktivitetin në të zezë pa deklaruar punëtorët dhe në mungesë sigurie. Kjo kompani qe kontraktuar nga Bashkia Tiranë për të ndarë dhe ricikluar mbeturinat.
Vetë Kryetari i Bashkisë Tiranë e promovoi punën kësaj kompanie duke bërë thirrje që gjithkush që merrej me grumbullimin e mbeturinave duhej të punësohej në landfill “për një punë me sigurime shoqërore”.
Për vdekjen e Gjoklajt u akuzuan 3 punonjës dhe drejtuesi i firmës Edurim Teqja, i cili u shpall në kërkim nga policia. Me hetime selektive, prokuroria nuk vërtetoi asnjë akuzë në Gjykatë dhe personat u lane të lirë.
Ngjarja nxiti protesta. Dy gazetarë u censuruan dhe u larguan nga puna pas hulumtimeve të tyre, të cilat nxirrnin me përgjegjësi edhe kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Kryebashkiaku vazhdon të përndiqet nga aktivistë të shoqërisë civile.