PD: Shkarkimi i kryebashkiakut Hila qesharak dhe antikushtetues

PD: Shkarkimi i kryebashkiakut Hila qesharak dhe antikushtetues

Partia Demokratike theksoi sot përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, se militantët e saj nuk kanë lidhje me djegien e një KZAZ-je në Vaun e Dejës ngjarje për të cilën qeveria njoftoi se kishte shkarkuar kryebashkiakun Zef Hila. Vendimin për shkarkimin e këtij të fundit, PD e cilësoi “qesharake” dhe “antikushtetuese”.

Në një dalje për mediat Bardhi tha:

Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj të prerë se asnjë militant i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ-së në Vaun e Dejës. Tentativë e dëshpëruar e një regjimi të korruptuar dhe kriminal është sajimi i raportëve të rreme nga policia dhe ndalimi politik pa prova e pa fakte i njerëzve të afërt me kryebashkiakun e Vaut të Dejës.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi sot shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, të cilin ai e ngarkoi me përgjegjësinë e djegjes së shkollës Ndre Mjeda në fshatin Bushat, ambientet e së cilës po përdoreshin nga KZAZ-ja nr. 6 për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas Ministrit personat që kryen sulmin ishin punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës. Pak pas kërkesës së tij, Kryeministri Edi Rama bëri publik në Twitter se e kishte firmosur shkarkimin.

Në lidhje me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i PD-ës tha:

Tentativë e dëshpëruar e Edi Ramës kundër opozitës është akti sa qesharak, aq edhe banditesk, antikushtetues i gjoja shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës. Zef Hila është në krye të detyrës, duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit.  Aktet e pavlefshme të kryeministrit mik të kriminelëve më të rrezikshëm të vendit, janë tentatva të dështuara që kërkojnë të imponojnë paligjshmëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>