Partia Demokratike ka shpallur listën fituese të anëtarëve për Këshillin Kombëtar.
Zgjedhjet për anëtarët e rinj u mbajtën të shtunën në Kuvendin Kombëtar të PD..
Në listën fituese janë 338 anëtarë, pasi disa prej tyre kanë patur numër të njejtë votash.
Në Këshillin e ri Kombëtar nuk janë zgjedhur Edit Harxhi dhe Arben Ristani, anëtarë të grupimit “për PD-në” gjatë zgjedhjeve për kryetar që u zhvilluan muajn qershor.
Të tjerë emra të njohur në PD që kanë mbetur jashtë janë Ardjan Isufi, Halim Kosova,Kastriot Islami, Klodiana Shala, Niazi Kosovrasti, Sait Dollapi, Valentina Duka.
Për Këshillin Kombëtar votuan 5339 delegatë në Kuvendin Kombëtar.
Në listën fituese ka edhe emra të rinj të njohur si Andi Lila, Oriela Nebijaj, Glauk Olladashi, si dhe artisti Robert Budina.
148 anëtarë të Këshillit Kombëtar janë automatikisht pjesë e tij për shkak të statutit. Ata përfshijnë kryetarin, anëtarët aktualë të kryesisë, ish-Presidentët, ish-Kryeministrat, ish-Kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryetarët e PD që janë ende anëtarë, deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, kryetarët e Bashkive, Këshillave Bashkiakë dhe qarqeve që i përkasin PD-së si dhe anëtarët e Kolegjit të Kryetarëve të Partive në Degë.
Pra në total Këshilli Kombëtar i PD i dalë nga Kuvendi Kombëtar i të shtunës është me 486 anëtarë.