Një muaj pasi përshëndeti ngritjen e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), duke e cilësuar si “strukturën që i jep shanc real vendit për të luftuar krimin”, Partia Demokratike ka ndryshuar qëndrim.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat PD si fillim sulmoi drejtuesin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Gent Ibrahimi, duke e konsideruar “militant të Partisë Socialiste” më pas kërkoi dorëheqjen e Kryetarit të SPAK Arben Kraja dhe anëtarit të saj Altin Dumani deri sa të sqarohen pozicionet e tyre.
Zoti Kraja ka nxitur reagime për faktin se në kohën e diktaturës ka qenë hetues, ndërsa zoti Dumani përpara se të kandidonte (pa rezultat) për kryetar të SPAK, rezultoi se kishte pasur takim në një kafene me deputetin socialist Ulsi Manja.
Etiketimi nga PD-ja i zotit Ibrahimi erdhi pas deklaratës që KLP bëri ku mbronte emërimin e Kryetarit të SPAK Arben Kraja si emërim, “të verifikuar sipas të gjitha procedurave të parashikaura sipas ligjit” dhe ku nuk përmendi aspak rastin e zotit Dumani.
“Reagime të tilla të dënueshme janë të pritshme nga një organ si KLP, që është nën drejtimin e militantit të PS Gent Ibrahimi dhe me shumicën e anëtarëve të kontrolluar nga pushteti dhe të zgjedhur në mënyrë të paligjshme.
Prokurorët e SPAK kanë kaluar të njëjtin proces të vetingut, siç kanë kaluar me dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Në thelb, kjo është një përpjekje e KLP-së për të mashtruar qytetarët me teknikalitete të panjohura për ta, në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të besimit të opinionit publik tek vetingu.”
PD thotë se KLP e kishte detyrim të informonte nëse Drejtues i SPAK, zoti Kraja, “ka qenë apo jo hetues në gjyqe politike gjatë regjimit komunist” dhe të informonte nëse “prokurori i SPAK zoti Dumani, ishte apo jo personi i paraqitur në foto nga mediat teksa shoqërohej me deputetin Manja përpara votimit për drejtues të SPAK”.
“Drejtësia nuk mund të bëhet me sherbëtorë të rinj të partisë së vjetër në pushtet.
[…] PD kërkon që, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eleminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK.
Mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK.”