Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë verifikimin e figurës së Valdrin Pjetrit, kryebashkiakut socialist të zgjedhur më 30 qershor në Shkodër.
PD dyshon se Zoti Pjetri mund të ketë qenë i dënuar në Itali në të shkuarën dhe se mund të ketë fshehur të shkuarën kriminale në formularin e vetëdeklarimit.
Në shkresën drejtuar prokurorisë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi shkruan:
“Në vitin 2001-2002,Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”
Nëse këto akuza vërtetohen nga prokuroria, bazuar në nenit 2, të ligjit të dekriminalizimit, Zoti Pjetri nuk mund të mbajë poste publike dhe të kandidojë në zgjedhje, e si rrjedhojë nuk mund të jetë kryebashkiaku i Shkodrës.
Që prej vitit 2013, Vajdrin Pjetri ka mbajtur poste të larta në Ministrinë e Mbrojtjes. Në janar 2018, ai u emërua Kryeregjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, post të cilin e mbajti deri në momentin që kandidoi në zgjedhjet e 30 qershorit.
Nga ligji i dekriminalizimit, në vitin 2016, u shkarkua nga detyra kryebashkiaku socialist i Kavajës Elvis Rroshi. Ai ishte dënuar më parë në Itali dhe Zvicër për vepra të rënda penale dhe kishte gënjyer në formularin e vetëdeklarimit.