PD thirrje qeverisë dhe kompanisë Albchrome: Ndalni presionet ndaj minatorëve

Nga Redaksia
PD thirrje qeverisë dhe kompanisë Albchrome: Ndalni presionet ndaj minatorëve

Partia Demokratike i bëri sot thirrje qeverisë dhe kompanisë Albchrome të ndalojë presionet ndaj minatorëve. Gjithashtu kësaj të fundit i kërkoi të rikthejë në punë 4 punonjësit e shkarkuar pas formimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Përmes një postimi në Facebook, përfaqësuesi i PD-së, Eno Bozdo, e cilësoi të paligjshëm largimin nga puna nga Albchrome të Behar Gjimit, Ali Gjetës, Beqir Duriçit dhe Elton Debreshit. Zoti Bozdo komentoi situatën pasi zhvilloi mesditën e sotme një takim me përfaqësues të minatorëve.

Ai e konsideroi situatën e krijuar pasojë të korrupsionit qeveritar në sektorin minerar dhe tha se përfaqësues të sindikatave i kishin denoncuar atij “presioni i paligjshëm i administratës së kompanisë mbi sindikalistët”.

“Çfarë po ndodh sot në Bulqizë është simptomë e problematikës së thellë ku ndodhet sektori minerar prej disa vitesh si pasojë e korrupsionit qeveritar që sot është dominant.

Kjo qeveri mban rekordin më të zi në historinë e Shqipërisë përsa i përket minatorëve që kanë humbur jetën në frontin e punës apo janë plagosur rëndë në të. Ky fakt tregon se strukturat e specializuara të qeverisë si Këshilli Kombëtar i Punës, Inspektoriati i Punës, RISHM etj, janë inekzistente. Dhe kjo është pjesë shumë e madhe e problemit.”

Zoti Bozdo tha se PD është në mbështetje të kërkesave të minatorëve për kushte dhe paga më të mira dhe theksoi se ato janë të drejta dhe të patjetërsueshme.

“PD […] i bën thirrje kompanisë Albchrome të ndalojë presionin e paligjshëm mbi punëtorët si dhe të kthejë në punë katër punëtorët e larguarit padrejtësisht nga puna.”

Në thirrjen e saj PD shton se “policia nuk duhet të bëhet vegël e presionit mbi sindikalistët dhe institucionet e shtetit të marrin përgjegjësitë për të garantuar sipas ligjit të drejtën e punëtorëve”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>