Partia Demokratike denoncoi sot se ndërtimi i Unazës së Re po bëhet pa leje të vlefshme ndërtimore, pasi kompania që hartoi projektin nuk ka kryer studim topografik.
Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu tha sot në një konferencë për shtyp se kompania AVE Consulting nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezisë. Sipas Zotit Balliu duke mos pasur gjeodet kompania nuk ka kryer studim topografik dhe pa pasur një të tillë nuk mund të projektohen detajet e zbatimit të projektit.
Kompania Ave Consulting është kompania që mori përsipër projektimin e zgjerimit të Unazës së Re, projekt që më pas iu dhurua Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Por duket se Ave Consulting nuk ka pasur staf dhe studim të plotë për projektin, çka sipas demokratëve e bën juridikisht të pavlefshme lejen ndërtimore. Duke paraqitur disa dokumenta Zoti Balliu tha:
“Prokuroria të mos zvarrisë siç po bën me DH Albania. PD do t’i dorëzojë Prokurorisë të gjitha dokumentat e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive, ku një grusht njerëzish duan të shtojnë pasuritë duke shkatërruar jetën e qindra familjeve.”
Sipas Zotit Balliu “një prokurori e pavarur, që nuk sakrifikon drejtësinë për t’ia hedhur vetingut, ka në dorë të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij projekti korruptiv dhe të pavlefshëm juridikisht tek Unaza e Re”.
Sipas PD-së projekti është “skemë vjedhjeje parashë publike” e cila është mbështetur nga Autoriteti Rrugor. Sipas Zotit Balliu, ARRSH “në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve, ka pranuar si dhuratë një projekt të gatshëm mbi 1 milionë euro nga kompania AVE Consulting”. Gjithashtu sipas PD-së, e njëjta kompani ka pasur konflikt interesi pasi “ka fituar tenderin per të permbyllur procedurat e legalizimit të objekteve informale”.
Ish-deputeti Balliu garantoi se “me ligjin e ri Antimafia dhe me programin “Ndiq paranë”, zyrtarët apo privatët e përfshirë në këtë aferë do të paguajnë çdo dëm që i është shkaktuar shtetit shqiptar dhe banorëve të Unazës së Re nga projekti korruptiv 20 milion euro për 1 km”.