Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj se genjen për fondet e ndërtimit të shkollës ‘Sami Frashëri’.
Në një deklaratë për mediat, Jorida Tabaku pohoi se shkolla nuk do të ndërtohet me fondet e Bashkimit Europian, fakt ky i pohuar nga vetë BE.
“Për nëntë muaj me radhë Erion Veliaj dhe qeveria gënjyen publikun duke deklaruar se shkolla “Sami Frashëri” do të ndërtohet me fondet e Bashkimit Europian.
I pacipë dhe duke gënjyer ditën për diell, Erion Veliaj vazhdoi të flasë për këto fonde, edhe kur faktet flisnin kundër tij dhe pohimeve të tij.
Së fundi, mbërriti deri aty sa të censurojë Delegacionin e Bashkimit Europian, i cili sqaroi publikisht se fondet për “Sami Frashërin” nuk janë nga fondet e rindërtimit të BE-së.
Fare pak media e transmetuan deklaratën e Delegacionit të Bashkimit Europian, sepse pjesa më e madhe e tyre u bllokuan nga Erjon Veliaj dhe të tijtë.”
Tabaku pohoi se Veliaj dhe qeveria frynë fondet për ndërtimin e shkollës ‘Sami Frashëri’, një vlerë gati 8 herë më e lartë se sa shkollat e ngjashme që ndërton BE.
Ajo i drejtoi 3 pyetje qeverisë dhe Veliajt për ndërtimin e kësaj shkolle si më poshtë:
- A u rehabilitua shkolla “Sami Frashëri” duke u shpallur si një shkollë që do t’i qëndronte viteve e fortë? Çfarë shkoi keq me këtë pohim të Veliaj që shkolla degradoi aq shumë sa të shembej?
- A është shpallur në datën 27 mars projektimi i ndërtimit të shkollës “Sami Frashëri” dhe anulluar 3 javë më vonë, në 21 Prill 2020? Që do të thotë se ditën që u prish shkolla, nuk kishte as projekt-ide as projekt – zbatim dhe asnjë tender të hapur?
- Në cilin sirtar ka përfunduar procedura e papërfunduar e tenderit për shkollën “Sami Frashëri”? Pse nuk ka asnjë dosje publike duke filluar nga fondet, projekti dhe deri tek procedurat e tenderit publik?