Albana Vokshi, kandidate për deputete e PD-së në Tiranë publikoi provat se si kryebashkiaku Veliaj po punëson mbështetës të PS-së në administratën publike përpara zgjedhjeve.
“Vendet e punës kalojnë përmes shtabeve elektorale të Partisë Socialiste. Nuk ka garë! Nuk ka meritë! Ka vetëm përpjekje për blerje votash edhe me vende pune, që nuk i paguajnë Edi Rama dhe Erion Veliaj nga xhepi i tyre, por i paguajnë shqiptarët me taksat e rritura dhe pastaj të vjedhura”, u shpreh Vokshi për median.
Ajo tregoi një komunikim të orëve të fundit nga Bashkia e Tiranës me shtabet elektorale të Partisë Socialiste të Tiranës:
“Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe i Ndriçimit, Herion Rrapaj u ka dërguar informacion shtabeve të PS-së për vende pune që duhen mbushur me njerëz të partisë. Ai u kërkon shtabeve elektorale të Tiranës që të dorëzojnë propozimet e tyre deri ditën e diel, 1 javë para zgjedhjeve”.
Ajo publikoi një pjesë të listës që u dërgohet shtabeve të Partisë Socialiste nga Bashkia e Erion Veliajt:
“Janë vende pune si specialist auditi, recepsionist në poliklinikë, magazinier tek materniteti, inxhinier elektronik, sanitare tek materniteti, inspektor tek Instituti i Shëndetit”.
Ajo i bëri thirrje prokurorisë të hetojë nVeliaj dhe vartësit e tij:
“10 mijë vende të reja pune janë hapur deri tani, me qëllim për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës dhe për t’i ruajtur karrigen e pushtetit. Por e kanë të kotë. Këto manovra të paligjshme nuk do ta shpëtojnë”.
“Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë refuzojnë të shesin të ardhmen e tyre në duart e një kryeministri të dështuar, që ua bëri jetën keq e më keq në këto 8 vjet”, përfundoi Vokshi.