Partia Demokratike cilësoi sot koncesionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit si “koncesion korruptiv” dhe tha se do ta anulojë sapo të ketë mundësinë e qeverisjes së vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shpërndau në Facebook disa foto nga takim që ai kishte zhvilluar në degët e partisë në Kukës, Has dhe Tropojë, tre nga zonat që janë ndikuar më së shumti nga tarifa e kalimit, vendosur nga koncesionari.
“Nuk kam parë askund një diskriminim kaq të egër nga një qeveri kundër qytetarëve të vet. “Faji” i tyre i vetëm është se nuk votojnë Edi Ramën dhe janë kundër tarifës korruptive, varfëruese dhe izoluese të Rrugës së Kombit.”
Zoti Bardhi tha se u kishte shprehur në çdo takim “vendosmërinë e PD-së për të zhbërë modelin e Edi Ramës që varfëron qytetarët përmes vjedhjes, korrupsionit dhe zhvatjes së pasurive e parave të tyre”.
“Me drejtimin e vendit nga PD, qytetarët nuk do të paguajnë asnjë lek për të kaluar në Rrugën e Kombit. Ajo do të çlirohet nga koncesioni korruptiv”.
Koncesioni për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit iu dha konsorciumit Kastrati-Salillari në vitin 2016, pas katër tenderësh të dështuar. Ndërkohë që vendosja e traut u bë në vitin 2018.
PD ka theksuar edhe herë të tjera se do ta anulojë koncesionin në fjalë dhe do të rishohë të gjitha kontratat e tjera të dyshimta për korrupsion.
Më herët në një denoncim në Facebook, ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj ka treguar se pas vendosjes së traut kompanitë fituan 10 milionë euro.