Partia Demokratike e Kosovës do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra deklaroi gjatë seancës plenare se PDK ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për ta çuar çështjen në Kushtetuese dhe ftoi deputetet e tjerë që t’i bashkoheshin kësaj iniciative “për ta ruajtur Kushtetutën e vendit”.
Deliu-Kodra akuzoi presidenten Osmani se përmes shkarkimit të Dakës po synon të kapë KQZ-në për llograi të Vetëvendosjes.
Ajo ka thënë se përmes këtij vendimi, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po synojnë të kapin institucionet e pavarura.
“Ky është shkarkim politik që ka për qëllim kapjen e shtetit. Osmani me këtë vendim ka shkelur Kushtetutën për të zbatuar urdhrin e Kurtit dhe Vetëvendosjes”, deklaroi ajo.
Presidentja Osmani shkarkoi Valdete Dakën nga posti i kryetares së KQZ-së dhe emëroi gjyqtarin Kreshnik Radoniqin në vend të saj.