Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dënoi transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në një kompani private, raportoi Radio Evropa e Lirë.
“Ditëve të fundit, qytetarët e Kosovës janë dëshmitar të një prej dështimeve më të mëdha të Qeverisë Hoti, në 20 vjet të jetës së institucioneve të Kosovës. Vjedhja e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit në vetëm pak minuta është krim i madh i organizuar ndërinstitucional”, ka deklaruar ai në një konferencë për media.
Lushtaku, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës kërkoi dorëheqjen e Ministres së Financave, Hykmete Bajrami. Ai ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka tendencë të përfshijë PDK-në këtë rast.
“Asnjë i dyshuar deri më tani nuk është dhe nuk ka qenë anëtar i PDK-së”, ka thënë ai.
Lushtaku ka thënë se pretendimet e disa mediave në Kosovë se ortaku i tij është i përfshirë në këtë rast janë gënjeshtra.
Labinot Gruda, punëtor i Thesarit të Kosovës u arrestua më 20 tetor, ndërsa dy persona të tjerë, pronarë të kompanisë private të cilës i është bërë transferimi, janë në kërkim.
Transferimi i parave sipas ministrisë së Financave u bë përmes një sulmi kibernetik.
Sipas deklaratës së prokurorit, Labinot Gruda më 9 tetor mes orës 12:11 dhe 12:19 nga zyra e tij në Thesarin e Kosovës, “duke krijuar user-a (llogari) të ndryshëm si user-a të punëtorëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme, ka realizuar katër transaksione në vlerë prej 2,077,995 në llogarinë bankare të kompanisë ‘LDA Group’ Sh.p.k… veprime të cilat i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës”.