Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që presidenti i ardhshëm i Kosovës të zgjidhet nga kjo parti.
Pas mbledhjes së kryesisë së PDK-së të mërkurën, kryetari në detyrë Enver Hoxhaj deklaroi në një konferencë për shtyp se deputetët e kësaj partie nuk do të votojnë asnjë kandidat tjetër për president.
”S’kemi vota për asnjë kandidat që vjen prej partive në pushtet. Nëse kërkohen votat e PDK-së atëherë edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.
Detyrat e presidentit tani i ushtron kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.
Thaçi dha dorëheqjen në fillim të tetorit, pasi gjykata në Hagë ngriti akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj tij.
Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë një president të ri brenda 5 muajsh.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për president deri tani. Partneri më i madh i koalicionit qeverisës, LDK-ja nuk e ka mbështetur atë.
Presidenti duhet të marrë dy të tretat e votave në Kuvend. Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i siguron këto vota në dy votimet e para, atëherë dy kanditatët me më tepër vota dalin në balotazh në një votim të tretë dhe të fundit, që vendoset me shumicë të thjeshtë.