Partia Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar qeverinë e Albin Kurtit dhe nuk ka përjashtuar as mundësinë e protestave.
Sipas PDK qeveria nuk ka një program për të qeverisur vendin pas dy muajsh.
“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, deklaroi Betim Gjoshi, anëtar i kryesisë së PDK.
Gjoshi tha kjo tregon që VV nuk ka çka të ju ofrojë qytetarëve. Ai tha se VV është pa përvojë politike dhe se ata nuk kanë pasur asnjëherë ndjesi për interesin e qytetarëve.
“Mungesa e programit tregon se ata janë njerëz pa përvojë politike dhe tregon që nuk kanë pasur ndonjë ndjesi për interesin e qytetarëve. Ata me një politikë kanë arritur tek fitimi i rezultatit zgjedhor duke realizuar pakënaqësinë qytetare, por nuk kanë pasur një ofertë të mirë për qytetarët dhe ajo që e kemi thënë gjatë fushatës zgjedhore po argumentohet edhe sot. Edhe pse ka dy muaj që ka përfunduar procesi zgjedhor ata ende nuk ia kanë ofruar qytetarëve të Kosovës një vizion se si do të qeverisin në këtë vend. Edhe për kaq ditë që kanë qeverisë kanë dhënë shenja të paaftësisë dhe mungesës së përvojës qeverisëse”, tha ai.