Me 420 vota pro, Parlamenti Evropian votoi sot pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Raportuesja për Kosovën, Tanja Fajon përshëndeti votimin e PE-së:
“Qytetarët e Kosovës një hap më afër lëvizjes pa viza në Evropë. E lumtur që kam marrë dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian me një shumicë për negociatat me Këshillin Evropian për liberalizim vizash për Kosovën. Përballja vazhdon me qeveritë e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ndalem deri ta arrijmë.”
Ky votim shërben për të konfirmuar mandatin për fillimin e bisedimeve me shtetet anëtare të BE-së. Këto bisedime që do të nisin më 17 shtator, do të udhëhiqen nga Zonja Fajon.
Pas bisedimeve në nivel teknik, do të nevojitet dhe votimi i Këshillit të Ministrave për të miratuar marrëveshja e plotë të liberalizimit të vizave. Të gjitha procedurat e nevojshme nëpër institucionet e BE-së do të zgjasin të paktën 6 muaj, megjithëse zhvillimi i zgjedhjeve të reja për institucionet e BE-së. parashikuar për në muajt e parë të 2019-ës mund ta zvarrisë më shumë procesin.
Votimi i PE-së u përshëndet dhe nga kryeministri Haradinaj:
“Urime qytetarë të Kosovës! Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Europë. Falënderues ndaj të gjithë deputetëve dhe grupeve parlamentare, të të gjitha partive e shteteve anëtare, që në Parlamentin Europian e mbështetën të drejtën tonë për lëvizje të lirë.”