Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë shprehu sërish sot mbështetjen për protestën e studentëve dhe dënoi dhunën e ushtruar nga policia, si ndaj studentëve, ashtu dhe ndaj ambienteve universitare.
Me anë të një deklaratë për median, Dekanati rikujton kërkesën për anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, si burimin kryesor të të gjithë problemeve që kanë sot studentët dhe propozon ngritjen e një grupi gjithëpërfshirës me pedagogë e studentë për të diskutuar për një ligj të ri.
Edhe pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë nënshkruar një peticion, me anë të së cilit shprehin mbështetje për protestën e studentëve dhe kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Arsimit të Lartë.
Ndërkohë në Fakultetin e Ekonomisë, pedagogët e departamentit të Menaxhimit, të Kontabilitetit dhe të Marketingut kanë dënuar dhunën e policisë ndaj studentëve të ngujuar dhe i kanë kërkuar të gjithë pedagogëve të mbështesin protestën studentore:
“Ftojmë gjithë stafin akademik të FEUT, por jo vetëm, që të shprehim qëndrimet e tyre institucionale, për zgjidhjen e problemeve që kanë dalë për rregullimet e fundit ligjore lidhur me problemet e arsimit të lartë të nxjerra nga protesta e studentëve.”
Sot qindra studentë nga shtatë fakultete në Tiranë kanë nisur ditën e pestë të bojkotit të plotë të mësimit dhe ngujimit brenda fakulteteve.
Studentët shprehen të vendosur për të mos e ndaluar protestën deri në plotësimin e plotë të kërkesave të tyre dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.