Pas pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, dhe pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë kanë kërkuar anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, si burimin kryesor të të gjithë problemeve që kanë sot studentët e universiteteve.
Me anë të një deklarate, rreth 50 pedagogë, duke falenderuar studentët për guximin dhe qëndresën qytetare, kërkojnë anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
Pedagogët propozojnë që pas anulimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
Po ashtu, pedagogët shprehjen se duhet hapur një debat i gjerë publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në themel të të cilit të jenë këto parime:
– Garantimi i të drejtave studentore;
– Financimi i dijes;
– Cilësia e mësimdhënies;
– Demokratizimi i universiteteve;
– Autonomia e universiteteve;
– Rritja e transparencës;
– Cilësia e diplomave dhe integrimi i të diplomuarve në tregun e punës.