Peleshi dhe Rama mbulojnë me propagandë mungesën e mjeteve për shuarjen e zjarreve

Peleshi dhe Rama mbulojnë me propagandë mungesën e mjeteve për shuarjen e zjarreve

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pas një heshtje të gjatë në lidhje me dhjetra vatra zjarresh që kanë plasur në vend javët e fundit, tentuan të hënën të mbulojnë mungesën e raportuar të mjeteve për fikjen e flakëve me propagandë.

Duke shkruar në mënyrë të koordinuar në rrjetin Facebook, Rama dhe Peleshi reklamuan ndërhyrjen me helikopter në vatrat e zjarrit në Karaburun.

“Angazhimi disaditor për shuarjen e zjarreve në Karaburun e jo vetëm, nga Forcat e Ushtrisë dhe trupat Rangers në terren meriton respekt e inkurajim,” shkruan Rama.

Komenti, gërshetuar me videon, duket se tenton të japë idenë se ndërhyrja nga ajri ka ndodhur prej ditësh.

Ndërkohë, Peleshi shkruan se mbi 300 mijë litra ujë ishin hedhur në vatrat e zjarrit në zonën e Karaburunit krahas videos identike.

Prej 10 ditësh në qarkun e Vlorës janë aktive vatra zjarri ,të cilat kanë djegur qindra hektarë kullotë, shkurre dhe pemë.

Zonat më të prekura nga zjarret janë Tragjasi dhe kodrat e Gadishullit të Karaburunit, ndërsa pylli i Llogarasë rrezikohet gjithashtu të përfshihet nga flakët.

Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Lorela Lezaj një ditë më parë u shpreh se ishte urgjente ndërhyrja nga ajri.

Zjarret e javëve të fundit u shoqëruan me kritika për mungesën e pajisjeve për shuarjen e tyre, duke lënë zjarrëfiksit dhe forcat e ushtrisë në mëshirën e mjeteve rrethanore.

Por, Peleshi u justifikua me terrenin e “e vështirë”, ndërkohë që kryeministri thjesht iu referua zjarreve që kanë rënë në vende të tjera në botë për të relativizuar problemin.

KLSH ndërkohë ka nisur një auditim të institucioneve përgjegjëse ku do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>