Pengmarrja e Jak Prengës ekspozon pastrimin e parave të drogës përmes resorteve

Nga Gerard Gega
Pengmarrja e Jak Prengës ekspozon pastrimin e parave të drogës përmes resorteve

Pengmarrja e Jak Prengës e përfunduar në vrasje ekspozoi në publik produktin e pastrimit të parave të narkotrafikut në Shqipëri: resortet me 5 yje.

Prenga dyshohet se u mor peng nga Altin Hajri dhe familjarë të tij, pronarë të Golden-Kompleks në Shijak. Mediat e lidhin pengmarrjen me prishje të pazareve të kokainës në Angli. Ata do ta dërgonin Prengën te kompleksi, por sipas policisë ai vdiq gjatë rrugës prej dhunës së ushtruar.

Emri i Altinit dhe familjes Hajri u përmend nga mediat edhe 5 vite më parë pas aksionit policor të koduar “Enigma” që kapi 450 kilogramë drogë në Itali. Po kështu u përmend edhe Golden-Kompleks si dhe pasuria 10 milionë euroshe që autoritetet italiane kërkuan që t’u sekuestrohej, por që si duket nuk është sekuestruar.

Kompleksi Golden në Xhafzotaj të Shijakut bie lehtë në sy pasi është në kontrast me ndërtesat e tjera të zonës. Kompleksi ka 3 ndërtesa të ndara me 2 pishina – Hotel Golden Kompleks; Vila Golden; Golden Palace – dhe përpara ka një pikë karburanti. Golden, i ngritur në një hapësirë prej rreth 1,4 hektarë tokë, rrethuar me pemë, kanxhella dhe kolona të punuara me gips, ka organizuar këto 5 vite qindra dasma.

Aktiviteti i familjes Hajri nuk u vu në diskutim për burimin e të ardhurave edhe pse kishte raportime për lidhje me narkotrafikun.

Exit News sjell në vëmendje të paktën 5 raste të ngjashme ku persona të akuzuar për narkotrafik kanë në emër të tyre apo familjes resorte luksoze.

Resorti prej 3 hektarësh Santa Quaranta i zotëruar nga Klement Balilit në Sarandë. Balili është dënuar me 10 vite burg për narkotrafik. Ai qëndroi rreth 2 vite pa u arrestuar.

Hoteli 7 katësh Germany Hotel në Durrës i lidhur me bandën prej 13 anëtarësh të Avdylajve. Ky grup akuzohet për laboratorin e heroinës në Has ku në vitin 2018 u kapën 150 kilogramë heroinë. Ata janë të përfshirë edhe në çështjen e vjedhjes së votave në zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës. Në audio-përgjimet e BILD një prej pjesëtarëve të grupit flet me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako.

Edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka dyshohet për lidhje me Avdylajt. Bashkë me 13 persona të tjerë ai akuzohet se ka tjetërsuar rreth 30 hektarë tokë në bregdetin e Lezhës. Zona bregdetare është më e lakmuara për resortet turistike.

Hoteli Oaz i zotëruar nga Safet Bajri në Velipojë. Bajri është dënuar me 22 vjet burg në Belgjikë për trafikim dhe prostitucion. Safeti bën pjesë në grupin prej rreth 11 anëtarësh, të cilët akuzohen për vrasje, grabitje, narkotrafik.

Ermiri Complex në Shëngjin i lidhur me Astrit Numanin i ashtuquajtur Titi i Ukës, i dënuar me 13 vite burg për narkotrafik në Itali. Në vitin 2015 prokuroria i sekuestroi 230 apartamente dhe 3 pallate me vlerë rreth 10 milionë euro.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>