Punonjësit e ushtrisë së SHBA-së do ta kenë të detyrueshme të vaksinohen kundër COVID-19 njoftoi të hënën Pentagoni, pasi vaksina e Pfizer mori miratimin e plotë nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, kujtoi se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka premtuar qysh në fillim të këtij muaji se do të marrë masa, pasi FDA-ja ta miratojë plotësisht vaksinën.
Në 9 gusht Austin paralajmëroi se do të kërkojë miratimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për ta bërë vaksinën të detyrueshme jo më vonë se në mes të shtatorit, ose menjëherë pas miratimit nga FDA-ja.
Më shumë se 1 milion anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan janë vaksinuar plotësisht, sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes
Kirby tha se vendimi i Pentagonit do të vlejë vetëm për vaksinën Pfizer/BioNTech.