Për çfarë duhet t’i jemi mirënjohës Romanës sa t’i ulemi në gjunj

Nga Ilir Aliaj
Për çfarë duhet t’i jemi mirënjohës Romanës sa t’i ulemi në gjunj

Emri i shkrimtarit Ismail Kadare jo rrallë herë ka ngjallur debate, lidhur me qendrimet e tij gjatë kohës së diktaturës. Ka nga ata që e kanë sulmuar e vazhdojnë ta bëjnë, si dhe nga ata që e hymnizojnë.

Unë i kam lexuar pothuaj të gjithë librat e tij botuar deri fund të diktaturës dhe jo ata të pas rënies së saj. Kjo për një shkak të thjeshtë: në librin e fundit të tij, para rrëzimit të diktaturës në Shqipëri, ai sulmonte dhe ofendonte poetin më të madh të Shqipërisë moderne, At Gjergj Fishtën. Kjo më mjaftoi që të mos e lexoj më Kadarenë.

Megjithatë, ka patur çaste kur Ismail Kadare më ka bërë të ndihem krenar. Ndërsa kryeja një specializim në Universitetin e Oksfordit, një ditë korriku të vitit 2005 po hyja në një librari kur befas dëgjova emrin e Ismail Kadaresë nga një anglez që kërkonte të blinte një libër të tij. Pak ditë më parë Kadare kishte fituar titullin më të rëndësishëm letrar në Britaninë e Madhe “Man Booker Prize” dhe edhe unë u ndjeva mirë për emrin e mirë që kjo u jepete shqiptarëve.

Në atë librari atje nuk e dinte kush që unë vija nga vendi i Kadaresë, por u ndjeva krenar dhe mendova se Evropa nuk na njeh vetëm për trafikantët.

Dje, lexova në media se shkrimtari Kadare i kish dërguar një letër ambasadores së Delegacionit Evropian në Tiranë, ku i kërkonte falje. Kadareja shprehej se falja e tij ishte aq e thellë sa ishte i gatshëm t’i ulej në gjunjë, për ta siguruar atë se mirënjohja e shqiptarëve për të është e pacënueshme.

Besoj si edhe shumë shqiptarë nuk prisja se do të binte deri në këtë sjellje të turpshme, ai që pretendon të jetë Laureat i Çmimit Nobel në letërsi. Sigurisht nuk e kuptoj se pse duhet një ndjesë kaq e madhe, kur shënimi i Kastriot Myftarit ishte thjesht opinion apo koment personal për Romanën.

Ajo çfarë nuk kuptoj është se cilat janë meritat e Zonjës Vllahutin që një person i tillë duhet t’i kërkoj ndjesë deri në përulësi. Ajo nuk ka bërë asgjë për vendin tonë. Dhe sikurse shkruan edhe Myftaraj në shënimin e tij pas lirimit nga policia “ajo bën mirë të largohet një orë e më parë nga vendi im”.

Po nëse shkrimtari Kadare ka ndonjë informacion që publiku nuk e di për të mirat që na ka bërë Zonja Vllahutin, atëherë sigurisht ne do t’i jemi mirënjohëse.

Por deri atëhere i lutem që përgjunjien e tij të mos e kryejë edhe në emrin tim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>