Për ‘fëmijët që rrihen’ dhe politikanët që qeshin

Nga Erjon Hoxha
Për ‘fëmijët që rrihen’ dhe politikanët që qeshin

Para disa ditësh më ra në sy publikimi i një lajmi në mediat online shqiptare, ku një politikan, për të treguar mënyrën se si e mendonte ai  “dialogun” që po zhvillohej midis politikanësh të tjerë, kishte zgjedhur ta ilustronte me një video të tre fëmijëve që qëllonin rëndë njëri-tjetrin me shpulla. Shumë media e bënë lajm statusin duke mos hezituar ta shoqëronin edhe me videon ilustruese. Video zgjaste dy minuta dhe ishte parë më shumë se 17 000 herë. Në ditët në vijim nuk pati asnjë reagim në media për këtë rast.

E shikoj të domosdoshme të ngre disa shqetësime që paraqet promovimi i kësaj videoje.

Së pari, një video e tillë e legjitimon dhe e normalizon sjelljen e dhunshme dhe agresive midis fëmijëve. Në një vend ku shprehje të tipit “dajaku ka dalë nga xheneti” apo “kush të rreh të do”—të cilat përdoren ende në marrëdhënie me fëmijët—jo vetëm i përforcojnë këto ide, por madje i normalizojnë ato.

Për të bërë krahasimin e këtyrë fëmijëve me sjelljen e politikanëve shqiptarë, rasti që përdoret për ilustrim, pra fëmijët që rrihen, sillet si një fenomen normal, që në këtë rast duhet të ilustronte sjelljen e padenjë të politikanëve. Nëse dikush e shikon këtë video, mesazhi që merr është “Shikoni sa keq sillen politikanët tanë”, dhe nuk vihet aspak theksi se ajo që ndodh me ato fëmijë në video është një rast që duhet dënuar, në mos me ndjekje penale për autorin që e ka filmuar, së paku me injorim nga audienca. Publikimi i kësaj video për të ilustruar qëllimin që ka pasur autori i publikimit të saj, është i pavend.

Së dyti, fëmijët janë zgjedhur si subjekt krahasimi edhe për të vënë në dukje “sjelljen fëminore” të politikanëve tanë. Në këtë rast ilustrues, ky togfjalësh, “sjellje fëminore”, shoqërohet me veprime të cilat japin mesazhe agresiviteti, të zgjidhjes së konflikteve me dhunë, të përdorimit të dhunës ndaj tjetrit si argëtim, të moskuptimit, e të tjera si këto, të cilat në fakt i vishen fëmijërisë si karakteristika normale të saj. Promovimi i këtyre videove dhe sjelljeve të fëmijëve ndikon që fëmijëria të shikohet si e lidhur me dhunën me një marrëdhënie normale. Ky lloj të menduari i inkurajon prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë të vazhdojnë të përdorin metodat e dhunës për disiplinimin e fëmijëve.

Së treti, fatkeqësisht vazhdon përdorimi i fëmijëve për fushata elektorale, tani edhe në forma më të sofistikuara, si këto të videove online. Patjetër që për videon në fjalë përgjegjësinë primare e ka personi që e ka filmuar. Por të promovosh një video të tillë në platforma online, ku më pas do shpërndahet pa pushim dhe do pëlqehet në masë (se militantët atë punë kanë), do të thotë të mos kesh respekt për të drejtat e njeriut, por madje të shkosh aq larg për të marrë disa like dhe për të fituar simpatinë e publikut sa të promovosh raste flagrante të shkeljes së të drejtave të njeriut. Për çdo individ, kudo qoftë ai, kjo do duhej të ishte e papranueshme.

Një video e tillë do duhej të ishte ofenduese për politikanët shqiptarë për t’ju vënë atyre në pah papërgjegjshmërinë, por në fakt është ofenduese për fëmijët të cilët zgjidhen për të qënë ilustrim për politikanët. Do ishte më e ndershme që ne të rriturit të përdorim “fjalë të rriturish” dhe “sjellje prej të rriturish” për të komentuar njëri-tjetrin.

Le t’i lëmë të qetë fëmijët. Atyre ju mjafton barra që ju ka rënë të lindin në këtë vend dhe të na kenë ne—politikanët, mësuesit, mediat, etj.—si edukatorë të tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>