Ndërkombëtarët pëlqejnë të përdorin statistikat si mjete propaganda, të cilat tregojnë popullaritetin e ekzistencës së tyre dhe projekteve që iniciojnë: Në vitin 2015, Ambasadori i atëhershëm amerikan Donald Lu shpalli me zë të lartë se “më shumë se 90%” e popullatës shqiptare “kërkonin” Reformë në Drejtësi.
Dhe vetëm vitin e kaluar, Delegacioni i BE në Tiranë, pohoi, përballë dështimit të vazhdueshëm, që 93% e shqiptarëve mbështesin Bashkimin Evropian dhe 79% mbështet Reformën në Drejtësi.
Sidoqoftë, një sondazh i publikuar nga Instituti Shqiptar për Demokraci dhe Ndërmjetësim, “Besimi në Qeverisje 2019″ tregon një realitet krejtësisht të ndryshëm. Sondazhi i IDM tregon se për tretin vit rradhazi shqiptarët besojnë më pak tek Reforma në Drejtësi.
Në vitin 2016, 46% besonin se Reforma në Drejtësi ishte zbatuar siç duhet, ndërsa në vitin 2019 ky numër ishte vetëm 32%. Kjo përqindje është edhe më e ulët sesa një konstatim i hershëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit i shkurtit të 2019, i cili zbuloi se vetëm 37.5% mendonin se vettingu do të pastrojë vërtet sistemin e drejtësisë dhe do ta bëjë atë më të mirë dhe më të besueshëm për qytetarët.
Ulja e besimit në Reformën në Drejtësi lidhet me një ulje të përgjithshme të besimit në institucione, duke përfshirë edhe uljen e besimit në vetë Bashkimin Evropian. Ndërsa në vitin 2017, 85% besonin tek Bashkimi Evropian, në vitin 2019 ky numër ka rënë 12 pikë, duke shkuar 73%.
Kjo do të thotë se më shumë se një në katër shqiptarë aktualisht nuk beson në Bashkimin Evropian. Ky reagim nuk ka dyshim se ka të bëjë me dështimin e Bashkimit Evropian për të hapur negociatat në vitin 2019, por gjithashtu dhe me lidhjen e tij e ngushtë me Reformën në Drejtësi, mbështetjen e vazhdueshme publike ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Kjo ka bërë që shumë shqiptarë të mos e konsiderojnë BE-në një arbitër të pavarur dhe asnjanës, por një lojtar më shumë në hapësirën e politizuar dhe të ndarë politikisht, duke bashkëpunuar me një qeveri të korruptuar.
Do të jetë e vështirë për Bashkimin Evropian që të ndalojë ose madje ta kthejë këtë trend rënës, në lidhje me perceptimin ndaj projektit të tyre, Reformës në Drejtësi. Dikush mund të imagjinojë se kapja e disa prej “peshqve të mëdhenj” të famshëm të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu mund të bënte ndryshime. Sidoqoftë, është domosdoshmëri për BE-në, që të fillojë të kërkojë një qeveri tjetër për të zbatuar reformën e saj të dashur …