Përçartjet e Ministrit Cani për konçensionin e TVSH-së

Përçartjet e Ministrit Cani për konçensionin e TVSH-së

Ka shumë paqartësi në publik rreth vendimit të qeverisë për dhënien me konçension të aspekteve të caktuara të mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar. Ministria e Financave nuk ka bërë publike asnjë informacion përmbajtësor në këtë drejtim, veçse ka thënë që po përgatit një tender ndërkombëtar.

Nuk dihet si dhe pse qeveria ka vendosur ta ndërmarrë këtë hap; nuk ka asnjë dokument analizues dhe vlerësues të gjendjes mbi të cilën është ndërmarrë vendimi; nuk dihet cilët janë komponentët apo përmbajtja e projektit; nuk dihen të dhënat e një kompanie që ministria thotë se ka shprehur interes; nuk dihet se çfarë ka propozuar kjo kompani dhe si e ka vlerësuar Ministria këtë propozim; dhe shumë pyetje të tjera.

Mungesa e informacionit dhe e transparencës nga ana e Ministrisë duket se i ka lënë vend hamendësimeve dhe spekulimeve në media. Por përballë kësaj situate, qeveria vazhdon qëndrimin e saj jotransparent dhe indiferent.

Dje në Kuvend, Ministri Cani, në mënyrë arrogante, tallëse dhe krejtësisht të papërgjegjshme, iu përgjigj interesit dhe akuzave të deputetëve, me këto deklarime pa shumë sens dhe të ngatërruara:

“Nuk dimë si thuhet në shqip, më mirë se sa një fjali: Nuk merret me mbledhjen e TVSH. Nuk bën mbledhjen e TVSH, por është një platformë informatike, në ndihmë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”

“Kjo është puna që do të bëjnë. Kaq e thjeshtë është! Tjetër, pothuajse zero është kostoja e këtij Partneriteti Publik Privat! Do bëhen përllogaritjet, mos u mërzisni, nuk është çudi që do kemi fitim nga i gjithë ky aktivitet.”

“Do merremi në detaje. Po të doni, kam një tabelë këtu. Dhe dallimin mes jush dhe mes nesh, ja ku e keni dhe si e bënit. Si i bëtë ju koncesionet, si i kuptonit ju koncesionet? Tarifë mbi publikun, mbi bizneset! Kurse ne themi: Pagesa fitohet vetëm nëse realizon të ardhurat. Jep të ardhura shtesë, do marrësh pagesë, s’jep të ardhura shtesë, nuk do marrësh.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>