(Përditësuar ora 21:00) Bilanc i viktimave dhe rrethanave të vdekjes së tyre

Nga Stafi Exit
(Përditësuar ora 21:00) Bilanc i viktimave dhe rrethanave të vdekjes së tyre

Vendi u godit sot në orët e para të mengjesit nga një tërmet me fuqi 6.4 ballë, me epiqendër në Detin Adriatik, 10 km në veriperëndim të Durrësit, i cili tronditi rëndë qytetin e Durrësit dhe të Thumanës në Rrethin e Krujës.

22 persona janë konfimuar të vdekur, deri më tani, 14 në Durrës, 7 në Thumanë dhe një në Kurbin.

Rreth 30 persona të tjerë janë ende të pa gjetur.

Ndërkohë, 46 persona janë shpëtuar deri tani duke i nxjerrë nga rrënojat dhe të gjithë janë jashtë rrezikut të jetës.

Viktimat u shënuan nga rrëzimi i tre pallateve, tre hoteleve dhe një shtëpije banimi në Durrës dhe shëmbja e tre pallateve në Thumanë.

Banesa 3-katëshe, Zona e Kënetës, Durrës

Në zonën e Kënetës, nga rrënimi i një banesa tre katëshe janë nxjerrë trupat e dy fëmijëve, ndërsa katër të tjera janë nën rrënoja dhe mendohen të vdekur. Një djalë 17 vjeçar i familjes u nxorr i gjallë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Banesa, ku jetonin familjet e tre vëllezërve dhe prindërit e tyre, pësoi dëmtime fatale strukturore nga godtija e tërmetit, por qendroi në këmbë për disa orë, duke i izoluar brenda saj banorët, të cilët nuk mund të dilnin për shkak të rrezikut të shembjes. Fatkeqësisht, ekipet e shpëtimit nuk mundën të bënin asgjë për ta dhe ndërtesa u shemb e tëra rreth orës 11 paradite duke i zënë poshtë të 7 familjarët.

Hotel Palma, Durrës.

Hotel Palma ndodhej në zonën e shkëmbit të Kavajës dhe u shëmb tërësisht që në momentin e goditjes së tërmetit. Nga rrënojat e saj janë nxjerrë tre trupa të vdekur që mendohen se janë familjarë të pronatëve të hotelit.

Hotel Mia Mare, Durrës

Hotel Mira Mare në zonën e plazhit në Durrës u shemb tërësisht që në momentin e tërmetit. Nga rrënojat e tij janë nxjerrë trupat e dy viktimave. Sipas policisë në hotel kanë qene katër persona dhe vazhdon operacioni për gjetjen dhe nxjerrjen e dy të tjerëve.

Hotel Tropikal, Durrës

Hotel Tropikal pranë zonës së plepave në Durrës, u rrëzua gjithashtu që në godtijen e parë të tërmetit. Nga rrënojat e tij është nxjerrë një 24 vjeçar nga Kosova. Mendohet se edhe një vëlla i tij ka mbetur nën rrënoja.

Dy pallate banimi, Durrës

Një pallat banimi në Lagjen 6 në Qytetin e Durrësit u shëmb pjesërisht. Nga rrënojat e tij u nxorr i gjallë një person, ndërsa një tjetër arrin të komunikojë me ekipet e shpëtimit. Dy persona të tjerë mendohet se janë ende nën rrënoja.

Një tjetër pallat banimi, në lagjen 18, u rrëzua tërësisht në momentin e goditjes së tërmetit. Kjo është lagjia më e prekur. Nga rrënojat u nxorrën në mëngjes një trupi i një vajzë 18 vjeçare, një fëmijë  10 vjeçar, një grua e cila humbi jetën në spital. Mendohet se nën rrënoja janë ende edhe të paktën pesë persona të tjerë, pjesëtarë të dy familjeve.

Tre pallate banimi, Thumanë

Tre pallate banimi janë rrënuar krejtësisht në Thumanë, Deri më tani janë nxjerrë prej rrënojave pesë trupa të vdekur, Mendohet se rreth 23 persona të tjerë janë ende nën rrënoja.

Kurbin

Një person humbi jetën në Kurbin, pasi u hodh nga ballkoni i pallatit nën panikun e shkaktuar nga goditja e tërmetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>