Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi janë ndaluar dhe sulmuar, të dielën, nga punonjësit e kompanisë private që menaxhon landfillin e Sharrës.
Në një konferencë për shtyp, Këlliçi tha se bashkë me Zhupën shkuan sot në Sharrë ‘për të denoncuar aferën korruptive dhjetra milionëshe euro e cila rëndon xhepat e taksapaguesve të Tiranës’.
Këlliçi tha se dhjetra punonjës të kompanisë private i kanë rrethuar dhe sulmuar dy përfaqësuesit e PD-së, megjithëse ata ndodheshin në zonë publike dhe jo në ambientet private të kompanisë.
Këlliçi deklaroi se pavarësisht intimidimeve dhe sulmeve, Partia Demokratike nuk do të tërhiqet nga denoncimi për vjedhjen e miliona eurove në aferën korruptive të inceneratorëve me në krye kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj dhe ministrin Ahmetaj.