Përfundon pa marrëveshje takimi i dytë Kurti – Vuçiç

Nga Exit News
Përfundon pa marrëveshje takimi i dytë Kurti – Vuçiç

Ka përfunduar pa asnjë marrëveshje takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Takimi është zhvilluar në Bruksel ndërsa palët janë shprehur për njëra tjetrën se nuk kishte vullnet për të rënë dakord.

Kurti deklaroi pas takimit se Vuçiç kishte refuzuar një deklaratë paqeje mes Kosovës dhe Serbisë të propozuar prej tij.

“Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare”, ka thënë Kurti për median.

Duke folur për takimin, Kurti tha se pala serbe kishte refuzuar gjithashtu të hiqte 11 barriera ekonomike që sipas tij janë vendosur ndaj Kosovës.

Kurti tha se nuk ranë dakord as për një deklaratë të përbashkët, pasi Vuçiç ka kundërshtuar përfshirjen e togfjalëshit ‘ballafaqimi me të kaluarën’ në këtë deklaratë.

“Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë që nuk pranoi asesi të futet togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se as çështja e të pagjeturve – një pikë ku palët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë në të kaluarën – nuk mund të zgjidhet nëse përfaqësues i delegacionit serb është Velko Odalloviç. Odalloviç ka qenë drejtuesi politik i partisë së Millosheviçit në Kosovë gjatë viteve të luftës.

I pakënaqur me takimin është shprehur edhe presidenti serb Vuçiç i cili akuzoi palën kosovare se kishin ardhur në takim për të mos pranuar asgjë.

Vuçiç deklaroi pas takimit se pala serbe kishte rënë dakord me të gjitha propozimet e BE-së.

“Këto ishin tre pika – për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta në identifikimin e të zhdukurve, për t’u përmbajtur nga veprimet që mund të destabilizojnë situatën në terren dhe që negociatorët kryesorë të takohen një herë në muaj”, tha Vuçiç duke shtuar se ishte i shqetësuar që pala kosovare nuk i kishte pranuar ato.

Sipas Vuçiç, thelbi i diskutimit të palës kosovare ishte që Serbia të pranonte se ishte fajtore për tre gjenocide në Kosovë.

Vuçiç shtoi se është gjithmonë i gatshëm për dialog, por që nga sot ai është shumë “më i shqetësuar për sigurinë e serbëve në Kosovë”.

Presidenti serb po ashtu tha se ka mundësi që në fund të gushtit të mbahet një takim mes dy ekipeve të negociatorëve.

Në takimin Kurti – Vuçiç morën pjesë edhe shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Para takimit Borrell theskoi se palët duhet të mbyllin kapitullin e së kaluarës, sado e dhimbshme që mund të jetë, në mënyrë që të bëjnë përpara për të ardhmen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>