
Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes naftëtarëve dhe përfaqësuesve të firmës, e cila pretendon se ka në administrim Uzinën e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.
Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj deklaroi për mediat se greva e urisë do të vazhdojë dhe gjithashtu dhe protestat përpara uzinës.
Ai theksoi se gjatë takimit ka pasur premtime boshe dhe nuk është ofruar asnjë zgjidhje për pagat e prapambetura e rifillimin e punës.
Të mërkurën naftëtarët e Ballshit, pas përplasjeve me policinë private, kanë hyrë me forcë në ambientet e rafinerisë.
Ata mundën të çanin kordonin e policisë dhe të futen brenda godinës.
Ndërkohë në një ambient tjetër, 10 naftëtarë janë në ditën e 17 të grevës së urisë.
Gjendja shëndetësore e naftëtarëve është përkeqësuar ndjeshëm, por ato shprehen të vendosur për të vazhduar me grevën, si e vetmja mundësi për të marrë rrogat e prapambetura të më shumë se një viti.